Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po zhvillon shpërndarjen e materialit zgjedhor në të gjithë territorin e Kosovës për të përgatitur anën teknike të zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen nesër, të dielën e 7 qershorit.

Fletëvotimet, listat me emrat e personave që mund të votojnë dhe vulat zyrtare po shpërndahen në Qendrat Komunale të Votimit nga ku më pas mëngjesin e së dielës do të dërgohen në Qendrat e Votimit.

1 milion e 778 mijë e 300 është numri i fletëvotimeve të shtypura, nga të cilat 1 milion e 605 mijë janë të projektuara për vendvotime të rregullta, rreth 20 mijë sosh për ato me kusht, 13 mijë e 500 të tjera rezervë dhe 3 mijë e 500 për votimin e personave me nevoja të veçanta.

Paralelisht, këtë të shtunë të 6 qershorit qytetarët e regjistruar për të votuar nga jashtë vendit nëpër përfaqësitë diplomatike të Kosovës do të kenë mundësinë të ekzekutojnë të drejtën e tyre qytetare.

Të gjitha 47 vendvotimet nëpër 17 ambasada dhe 13 konsullata në 18 shtete të ndryshme janë hapur qysh në ora 07:00 dhe do të qëndrojnë kështu deri në ora 19:00.

“Vetëm 27,724 votuesit e regjistruar në 30 përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë më 6 qershor 2026, pasi në listën votuese, e cila do të përdoret në këto përfaqësi diplomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës”, thuhet në njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Votimi i sotëm nëpër ambasada dhe konsullata i paraprinë atij që do të zhvillohet të dielën e 7 qershorit në Republikën e Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.