Pesë vetura që kishin ardhur në Kosovë nga Koreja e Jugut janë sekuestruar nga organet e drejtësisë, pasi dyshohet se blerësit në Kosovë ua kishin falsifikuar dokumentet, përfshirë edhe vitin e prodhimit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, kontrollet janë kryer në shtëpitë e të pandehurve në Vushtrri, me qëllim të gjetjes dhe sigurimit të provave materiale relevante për procedurën penale.
Të dyshuarit dyshohet se, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë falsifikuar dhe kanë përdorur dokumente të falsifikuara publike gjatë procedurës së importimit të automjeteve.
Sipas hetimeve fillestare, dokumentet e dyshuara të falsifikuara kanë qenë libreza koreane të automjeteve, në të cilat dyshohet se janë manipuluar të dhënat për vitin e regjistrimit të parë të veturave. Konkretisht, në dokumente dyshohet se është ndryshuar viti i regjistrimit nga 2015 në 2016, me qëllim që automjetet të paraqiteshin si më të reja se dhjetë vjet dhe të mundësohej importimi i tyre në Kosovë.
Dokumentet dyshohet se janë përdorur gjatë procedurës së importimit dhe zhdoganimit të pesë automjeteve, për të cilat janë lëshuar Deklarata Unike Doganore me të dhëna të pasakta për vitin e regjistrimit të parë.
Prokuroria ka bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, ndërsa hetimet do të vazhdojnë në koordinim me Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës për zbardhjen e plotë të rastit.









