Financuesit e partisë së Albin Kurtit po vazhdojnë që të fitojnë tenderë milionësh nga Qeveria e Vetëvendosjes.
Listës së gjatë iu ka shtuar edhe Construmax.
Kjo kompani, së bashku me tri të tjera, u shpërblyen nga Ministria e Shëndetësisë me tender në vlerë mbi 20 milionë euro për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Emergjente në QKUK – vazhdim projekti.
Kontrata u dha më 7 prill të vitit 2026.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, kur fitoi Albin Kurti, një nga donatorët e fushatës së Vetëvendosjes ishte edhe Construmax.
Në Pasqyrat Financiare të Fushatës dhe Raportin e Auditorit të pavarur për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës nga 3 shkurti 2021 deri më 12 shkurt 2021 figuron se Construmax i ka dhënë Vetëvendosjes donacion 1 mijë euro.
Kjo, shifër e dokumentuar, për të tjera, kush e di.
Gjithsesi, Ministria e Shëndetësisë thanë për VOX Kosova se Construmax e ka fituar tenderin “në përputhje me kriteret e përcaktuara në njoftimin për kontratë dhe në dosjen e tenderit”.
Përkundër se ky dikaster udhëhiqet nga Vetëvendosja, përkatësisht nga Arben Vitia, nga Ministria theksojnë se nuk janë në dijeni nëse kjo kompani ka qenë apo jo donatore e ndonjë subjekti politik dhe se tenderin e ka fituar në mënyrë meritore.
VOX Kosova kontaktoi edhe kompaninë Construmax. Edhe ata e mohuan të ketë ndikuar donacioni që ta fitojnë tenderin.
“Në asnjë rast, mbështetjet eventuale të natyrave të tilla nuk kanë pasur për qëllim dhe as nuk mund të interpretohen si ndikim në procese të prokurimit publik apo në vendimmarrje institucionale…”, thanë nga Construmax.
Dhënia e tenderëve për kompanitë e afërta me pushtetin, në Qeverinë e Vetëvendosjes është bërë standard qeverisës.
Dhe, si gjithmonë, arsyetimi është: e kanë fituar, sepse e kanë merituar.








