Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me nga një vit burgim ish-kryeministrin Agim Çeku dhe nëntë të akuzuarit e tjerë për rastin “Veteranët”.
Të dënuarit e tjerë janë Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashar.
Ndërsa nga akuzat u liruan Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj.
Në vitin 2021 të akuzuarit në fjalë i kishte liruar nga akuzat Themelorja. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.
Sipas Prokurorisë Speciale të akuzuarit në cilësinë e anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit, duke ua mundësuar dhe njohur mijëra personave statusin e veteranit të UÇK-së.
Në bazë të prokurorëve, deri në 19.000 individë mund të kenë përfituar në mënyrë ilegale statusin e veteranit.