Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po mban sot një mbledhje të Kryesisë së partisë së bashku me kryetarët e degëve, ku në fokus të diskutimeve është situata paszgjedhore dhe hapat e ardhshëm politikë të subjektit.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi se takimi i sotëm po zhvillohet në kuadër të trajtimit të situatës pas zgjedhjeve dhe rolit që partia synon të ketë në proceset e ardhshme politike dhe institucionale.
“Sot e kemi Kolegjiumin e Degëve të LDK-së. Në situatë paszgjedhore është pjesë e punës ku kryetari i LDK-së dhe organet e LDK-së fillojnë me e trajtu situatën paszgjedhore. Kjo është në funksion të proceseve politike në të cilën LDK-ja ka vendosë parimisht të jetë pjesë aktive e ndërtimit të institucioneve”, tha Haziri.
Ai shtoi se qëndrimet dhe vendimet zyrtare që do të dalin nga takimi do të bëhen publike pas përfundimit të mbledhjes.
Takimi vjen pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe debatit të brendshëm që është zhvilluar në parti lidhur me rezultatin zgjedhor, përfshirë edhe kërkesat për dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Mbledhja e Kryesisë ka nisur në orën 15:00 me pjesëmarrjen e kryetarëve të degëve të LDK-së, ndërsa pritet të adresohen zhvillimet politike paszgjedhore dhe pozicionimi i partisë në procesin e formimit të institucioneve të reja.









