Me 10 vjet burgim është dënuar Millorad Gjokoviç nga Gjykata Themelore në Prishtinë të mërkurën, pasi që është shpallur fajtor për akuzat për krime lufte në Ozdrim dhe në fshatrat përreth rajonit të Pejës.
Aktgjykimin dënues ndaj Gjokoviç-it, i njohur si “Mici”, e shpalli trupi gjykues i përbërë nga kryetarja Donikë Shala-Abdyli dhe anëtarët Kushtrim Shyti e Vesel Ismaili, raporton Betimi për Drejtësi.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim dhe në fshatra të tjerë përreth rajonit të Pejës, Gjokoviç akuzohej se në cilësinë e pjesëtarit të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit mizor dhe çnjerëzor, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe depërtimit të dhjetëra civilëve shqiptarë.
Ai akuzohej po ashtu edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile shqiptare.









