Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se si kryetare e shtetit dhe udhëheqëse e politikës së jashtme po “bëj shumë” punë, por ngërçi politik me konstituimin e Kuvendit po e pengon realizimin e punëve.
“Shumica e marrëveshjeve që arrij, duhet të përfundojnë në parlament për ratifikim ose te qeveria për zbatim”, tha Osmani në Alpbach, derisa po fliste për dëmet që po i shkakton moskonstituimi i Kuvendit.
“Prandaj, populli i Kosovës do të ketë nevojë për një qeveri efektive me fuqi të plota dhe një parlament efektiv që mund të mbikëqyrë punën e qeverisë, sepse, siç thashë, ne jemi një demokraci e fortë me tre nivele qeverisjeje dhe kjo ka funksionuar shumë mirë deri tani”, shtoi.
Sa më shumë kohë kalon pa parlament dhe pa një qeveri të votuar nga ky parlament i ri, ajo vlerëson se “aq më shumë po humbasim projekte të Bashkimit Evropian, aq më shumë po humbasim një mundësi që kemi tani me administratën e re amerikane”, me të cilën thotë se ka punuar në takimet e saja në SHBA.
Ajo ka potencuar se për shkak se partitë politike nuk po duan që të bashkëpunojnë mes vete, Kuvendi nuk po konstituohet.
“Problemi është se tani ka mungesë të marrëveshjes politike mes partive për të formuar një shumicë koalicioni, sepse partitë politike nuk duan të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën”, deklaroi presidentja.
“Ka mungesë besimi”, vlerëson ajo, dhe “një polarizim të madh”, gjë që, sipas saj, “është e pafalshme, sepse Kosova po humb shumë”.
“Është për të ardhur keq që qytetarët ende nuk e kanë parlamentin për të cilin kanë votuar”, ka thënë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për moskonstituimin e Kuvendit tash e disa muaj pas zgjedhjeve.
E para vendit u bëri thirrje të gjitha partive politike që të “vënë interesin e vendit mbi të gjithat, të lënë mënjanë dallimet e tyre dhe të përpiqen të formojnë një koalicion dhe një shumicë parlamentare që do ta çojë Kosovën përpara”, sepse, vlerëson se “bota nuk do të na presë”.
“Qartësisht, dritaret e mundësive hapen shumë pak për vende si i yni dhe për një kohë shumë të shkurtër”, potencoi ajo ndër të tjera.









