Pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë ende nuk i ka dhënë ndonjë përgjigje thirrjes urgjente të së Ngarkuarës me Punë në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Annu Prattipati, që Kosova të ndërtojë partneritet me shtetin e saj sa i përket sektorit të energjisë.
Dy ditë më parë, kryediplomatja amerikane në Prishtinë tha se “Kosova do të duhej t’i bashkohej projekteve amerikane të gazit natyror të planifikuara nëpër Ballkan” e se vonesa për ta marrë një vendim të tillë “rrezikon që furnizimet amerikane të GNL-së të zotohen diku tjetër dhe një gjë e tillë mund ta lërë Kosovën si vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor pa qasje në GNL-në amerikan”.
Kërkesa e Prattipatit u bazua edhe në doktrinën e Presidentit amerikan, Donald Trump, për “uljen e varësisë së Evropës nga energjia ruse”.
Ndonëse pushteti nuk ka komentuar editorialin e kryesores së Ambasadës Amerikane këtu në Prishtinë, opozita është zotuar që një pushtet në dorën e tyre do ta trajtonte këtë çështje me urgjencë.
Në një konferencë për media të enjten e 4 qershorit, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, u zotua se me të ardhur në pushtet do ta jetësojë projektin e gazit amerikan në Kosovë.
“Si Kryeministër i ardhshëm i Kosovës, do ta jetësoj projektin për lidhjen e Kosovës me gazin amerikan. Kosova nuk mund të vazhdojë të paguajë çmimin e refuzimeve ideologjike dhe mungesës së vizionit. Çdo vit që humbim, rritet varësia jonë nga importet e shtrenjta të energjisë dhe nga tregjet e jashtme”, deklaroi lideri i opozitës.
Njëjtë bëri edhe binomi i Lidhjes Demokratike, Vjosa Osmani e Lumir Abdixhiku, të cilët nëpërmjet një deklarate të përbashkët, në të njëjtën datë, u zotuan për politikë që e sjellë gazin amerikan në Kosovë.
“Siç e kemi bërë të qartë tash e një kohë, përfshirë gjatë kësaj fushate, LDK është e bindur se interesi shtetëror i Kosovës është i bazuar në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, integrim në projektet rajonale të gazit, diversifikim i burimeve energjetike dhe forcim i sigurisë kombëtare. Prandaj, që në fillim të mandatit, do të zbatojmë në plotni këtë politikë shtetërore duke sjellë gazin amerikan në Kosovë”, shkruhej në deklaratën e Osmanit dhe Abdixhikut.
Në shtator të vitit 2021, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti kishte refuzuar projektin e propozuar amerikan për furnizim me gaz natyror, pasi që ekzekutivi prishtinas kishte vënë kushte të parealizueshme.
Projekti për zhvillimin e infrastrukturës për furnizim me gaz amerikan ishte negociuar mes Qeverisë së Kosovës dhe agjencisë amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), agjenci e cila kishte zotuar rreth 200 milionë dollarë për projektin në fjalë.
Administrata e atëbotë presidentit amerikan, Joe Biden, e kishte futur Kosovën në buxhetin e agjencionit federal, MCC, me qëllim që Kosova të përfitonte 200 milionë dollarë të pakthyeshme për ndërtimin e gaz-përçuesit në drejtim të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, nga ku më pas të lidhej me rrjete ndërkombëtare të gazit natyror.









