E penduar dhe nën lot, ministrja e Kulturës e Norvegjisë, Anette Trettebergstuen, dha dorëheqje në vitin 2023, duke e pranuar se gaboi kur miq të saj u emëruan në borde drejtuese të operës, teatrit dhe muzeve.
Ky akt është natyrisht një standard i lartë politik qeverisës, të cilin e jeton në baza ditore familja e kryeministrit të Kosovës.
Por, një standard të tillë Albin Kurti nuk ua ofron qytetarëve që i qeveris tash e gjashtë vjet.
Emërimet dhe punësimet familjare, shoqërore e partiake janë një politikë e hapur në qeveritë Kurti, sikur të ishin një rregull obligativ.
Askush nuk jep llogari. Askush nuk jep dorëheqje.
Dorëheqja nuk konsiderohet as atëherë kur ministrat janë nën aktakuza, hetime për keqpërdorime dhe të kapur në ndërhyrje në punësime, siç ishte rasti me Rozeta Hajdarin, Faton Pecin dhe Artane Rizvanollin.
“Arlinda i është drejtuar drejtësisë dhe nuk ka marrë mbrojtjen e kërkuar. Fatkeqësisht nuk i është drejtuar Qeverisë”, Donika Gërvalla.
Kjo është një deklaratë skandaloze. Një ofendim i rëndë ndaj viktimës që u vra mizorisht nga familjarët e burrit, teksa ndodhej në duart e sistemit të drejtësisë e sigurisë.
Për një gjë të tillë, në një shtet qeveri të përgjegjshme, dorëheqja ose shkarkimi do të ishte një akt i domosdoshëm.
Por Kosova nuk është Norvegjia e Albin Kurtit.
Prandaj edhe familja e tij nuk dëshiron të jetojë këtu, për ta ndier çdo ditë gjendjen në drejtësi, siguri, arsim e ekonomi.
Apo lajmet e përditshme për mungesë barnash e kushtesh esenciale në spitale, e ku ministri asnjëherë nuk ndihet përgjegjës.
Sepse Kosova nuk është as si Portugalia, ku ministrja e Shëndetësisë jep dorëheqjen pas kritikave ndaj vendimit të saj për mbylljen e përkohshme të urgjencës obstetrike, gjë që gratë shtatzëna i ekspozoi ndaj rreziqeve.
Dhe nuk është as si Polonia, ku një ministër dha dorëheqje pasi u zbulua se kishte bërë ankesë për një punonjëse të postës publike vetëm pse ajo e kishte kritikuar për koston e lartë të jetesës në vend.
Në Kosovë, nëpunësit në administratë ndëshkohen me përgjysmim të pagës për mendimet e tyre profesionale, apo degradohen nga pozita kur kundërshtojnë vendime që i konsiderojnë joligjore.
Kryeministri Albin Kurti e kupton shkëlqyeshëm dallimin mes Kosovës që ai e drejton dhe Norvegjisë. Prandaj edhe preferon që familja e tij ta shijojë shtetin ligjor atje, ndërsa kosovarëve t’u shesë përditë përrallën e “qeverisjes së përgjegjshme dhe me duar të pastra”.








