Pas vdekjes së fundit të një gruaje në Autostradën “Ibrahim Rugova” dhe vdekjeve të shumta në rrugët e Kosovës – 111 vdekje në vitin e fundit sipas raportit të Policisë së Kosovës – Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka dalur me reagim duke deklaruar se fajet nuk janë te kushtet e rrugës, por te vetë shoferët.

Ai ka cituar raportin e policisë për rastin e fundit, duke shkruar në llogarinë e tij në Facebook se “Raporti… tregon që në bazë të hetimeve profesionale, drejtuesi i automjetit e ka humbur kontrollin mbi veturën, duke goditur fillimisht sinjalizimin rrugor dhe më pas elementet mbrojtëse anësore”.

Në anën tjetër, shqetësimet për rritjen e aksidenteve me fatalitet, rritjen e aksidenteve me të lënduar dhe rritjen e aksidenteve me dëme materiale, të gjitha këto të dokumentuara nga raporti vjetor i punës së policisë, i ka quajtur “raportime të pavërteta dhe akuza të nxituara të disa politikanëve e mediave”.

Përveç aksidenteve të shumta, Raporti i Auditimit për ministrinë që e udhëheqë Basha ka dalë me gjetje se në plot raste rrugët janë shtruar e rikonstruktuar me leje ndërtimore.

Siç tregon Raporti vjetor i punës së Policisë së Kosovës, 111 veta e kanë humbur jetën në aksidente për një vit dhe 16 mijë e 681 persona janë lënduar nga aksidentet rrugore veç në vitin e fundit.

Raporti vjetor i policisë tregon edhe se në vitin 2025 ka pas rritje të përgjithshme të numrit të aksidenteve, plot 24 mijë e 150 kanë ndodhë.