Një segment i rrugës nacionale Prishtinë-Ferizaj është ndërprerë për qarkullim nga Policia e Kosovës, si shkak i nivelit të lartë të ujit të grumbulluar në të pas reshjeve të shiut. Policia nuk ka dhënë detaje se për sa kohë rruga do të mbetet e bllokuar.
“Segmenti që kalon nëpër fshatin Llapnasellë, segmenti nga rrethi i “Prishtina Mall” në drejtim të Prishtinës dhe segmenti nga rrethi i “Marigona” në drejtim të Ferizajt, në koordinim me zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës dhe kompaninë përgjegjëse për mirëmbajtje të rrugës, është marrë vendim që të bllokohet plotësisht qarkullimi i automjeteve në këtë segment rrugor për një kohë të caktuar”, shkruhet në njoftimin e Policisë.
Qytetarët që u duhet të kalojnë nëpër rrugën në fjalë do t’u duhet të devijojnë për në autostradë, siç njofton Policia.
Ditëve të fundit, Kosova ka parë vërshime të shumta në disa qytete të Kosovës. Gjatë ditës priten reshje bore dhe ulje edhe e mëtejshme e temperaturave. Fatmirësisht, autoritetet për menaxhimin e katastrofave natyrore nuk kanë lajmëruar për humbje jete ose situata të pakontrollueshme.









