“Secili banor i prekur duhet të ndihmohet, secili biznes të kompensohet, secili bujk të mbështetet dhe çdo familje të marrë ndihmë emergjente”, ka kërkuar nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

Këto komente, Bajrami i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas vërshimeve që ndodhën në disa qytete të Kosovës.

Meqë moti me shi po vazhdon dhe priten reshje bore, Bajrami tha se ekziston rrezik për përmbytje të reja.

Prandaj, ajo potencon se shteti duhet të jetë në terren dhe pranë qytetarëve në Drenas, Malishevë, Junik, Gjakovë dhe në komunat e tjera të prekura.

“Qeveria duhet të sigurojë fonde emergjente, të hartojë një strategji, dhe të ndaj buxhet në buxhetin e vitit 2026 për të ndërmarrë veprime konkrete për parandalimin dhe menaxhimin e situatave të tilla në të ardhmen”, potencoi ajo ndër të tjera.

Ditëve të fundit, reshjet e vazhdueshme atmosferike kanë shkaktuar vërshime në disa prej qyteteve të Kosovës. Fushë-Kosova, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj dhe Gjakova kanë qenë ndër komunat më të prekura. Deri më tani, përveç dëmeve materiale, nuk është raportuar për humbje jete.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për shkak të kësaj situate ka pezulluar rifillimin e procesit mësimor deri më 12 janar, ndryshe nga planifikimet paraprake për rifillimin e mësimit (gjysmës së dytë të vitit) të enjten e 8 janarit.