Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka thënë se situata me vërshime vazhdon të paraqitet përgjithësisht stabile dhe e lokalizuar në disa komuna, duke veçuar atë të Prizrenit, ku të dyja anët e rrjedhës së Drinit janë përmbytur nga Drini i Bardhë.
“Situata me vërshime në territorin e Republikës së Kosovës paraqitet dinamike, me raste të lokalizuara në disa komuna si pasojë e reshjeve të shtuara. Perveq tjerash edhe me faktin se zona e Anadrinise, Komuna e Prizrenit në të dyja anët e rrjedhës se Drinit eshte permbytur nga Drini i Bardhe”, thuhet në raportin e AME-së.
Në raportin e situatës së 7 janarit, AME ka njoftuar qytetarët edhe se rruga Gjonaj – Krajk, po në komunën e Prizrenit, është bllokuar si pasojë e nivelit të ujit në të. Sipas policisë niveli i ujit ka arritur deri në 1 metër e gjysmë.
Nga kjo agjenci kanë njoftuar se zonat e tjera të vendit janë në gjendje stabile dhe po monitorohen vazhdimisht. Ky autoritet u ka bërë thirrje qytetarëve të evitojnë zonat e rrezikshme, të përcjellin njoftimet zyrtare si dhe të kontaktojnë në numrin unik emergjent 112 për çdo rast.
Ditëve të fundit, reshjet e vazhdueshme atmosferike kanë shkaktuar vërshime në disa prej qyteteve të Kosovës. Fushë-Kosova, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj dhe Gjakova kanë qenë ndër komunat më të prekura. Deri më tani, përveç dëmeve materiale, nuk është raportuar për humbje jete.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka pezulluar rifillimin e procesit mësimor deri më 12 janar, ndryshe nga planifikimet paraprake për rifillimin e mësimit (gjysmës së dytë të vitit) të enjten e 8 janarit.








