Policia e Kosovës në dy raste të ndara, më 19 dhe 20 dhjetor, ka gjetur armë, municion dhe pajisje ushtarake në Leposaviq.
Më 19 dhjetor, rreth orës 22:07, policia njofton se zyrtarë policorë nga Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH), gjatë patrullimit në fshatin Rvatska, Komuna e Leposaviqit, në një shtëpi të pabanuar kanë gjetur dhe sekuestruar: një armë gjuetie, një karabinë, një armë të llojit AK-47, 240 fishekë, një palë dylbi.
Si rrjedhojë e procedurave hetimore, më 22 dhjetor, zyrtarët policorë në objektet përcjellëse të shtëpisë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një pushkë ajrore, mekanizëm për barut, një thikë ushtarake, një frotroll për revole.
Lidhur me rastin, policia thekson se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit penal për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Bëhet me dije se aktualisht nuk ka persona të arrestuar dhe rasti është në procedurë hetimore.
Në rastin tjetër, më 20 dhjetor, rreth orës 06:45, Policia ka arrestuar personin R.R., pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në fshatin Veacev, Komuna e Leposaviqit, janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, një pushkë gjysmë automatike, një bombë dore, dy tromblona, fishekë të kalibrave të ndryshëm, pajisje të ndryshme ushtarake (çantë, xhaketë, thikë, etj).
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas inicimit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Nga Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuar në luftimin e posedimit të armëve të zjarrit, duke vepruar në funksion të ruajtjes së rendit, paqes dhe sigurisë së përgjithshme për të gjithë qytetarët pa dallim.









