Në gjashtë lokacione në Zubin Potok, Policia e Kosovës ka njoftuar të enjten se ka gjetur armë, municion, granatë dore dhe mjete të tjera ilegale.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri, në vazhdën e pranimit të informatave nga ana e qytetarëve, me datën 16.04.2026, në disa lokacione në Komunën e Zubin Potokut konkretisht në fshatin Banovë dhe Prevllak kanë gjetur armë, municion si dhe mjete të tjera ilegale”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Si rezultat, policia ka bërë me dije se janë ndërmarrë veprime policore.
Në rastin e parë, njësitë policore kanë kryer kontroll në një shtëpi të pabanuar, janë gjetur dhe janë sekuestruar: 4 pushkë të ndryshme, 3 radio lidhje, 1 kamerë, 223 fishekë të ndryshëm, uniforma ushtarake si dhe pajisje për pastrimin e armëve.
Në rastin e dytë, bëhet me dije se njësitë policore kanë kryer kontroll në një shtëpi, ku gjatë kontrollit kanë gjetur dhe kanë sekuestruar: 1 pushkë pa leje dhe 3 fishekë.
“Në këtë lokacion është hasur personi M. R. (1972) i cili është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit të Shtetit i njëjti është liruar, ndërsa do të hetohet për veprën panel ‘armëmbajtje pa leje’”, theksohet në njoftim.
Në rastin e tretë, njësitë policore, gjatë kontrollit në një shtëpi tjetër të pabanuar kanë gjetur dhe kanë sekuestruar: 1 armë AK-47, 3 karikatorë, 88 fishekë të armës së gjatë, 1 granatë dore M75 (prodhim jugosllav).
Në rastin e katërt, njësitë policore gjatë kontrollit në një shtëpi të pabanuar kanë gjetur dhe kanë sekuestruar: 1 armë AK-47 dhe 19 fishekë.
Në rastin e pestë, gjatë një kontrolli në një shtëpi të pabanuar kanë gjetur dhe kanë sekuestruar: 1 pushkë M48 (e çmontuar), 1 pushkë të gjuetisë dhe 33 fishekë.
Ndërsa, në rastin e gjashtë, njësitë policore gjatë kontrollit në një hambar kanë gjetur dhe kanë sekuestruar: 1 mekanizëm i armës së gjatë M-48, thikë – bajonetë, uniforma ushtarake.
Bëhet me dije se në vendin e ngjarjes, në rastin e tretë, kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (EOD), të cilat kanë tërhequr mjetin eksploziv në mënyrë të kontrolluar.
“Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale: ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i ka ftuar ata që të vazhdojnë të ndajnë informacione që ndihmojnë policinë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.









