Policia e Kosovës ka njoftuar se ka bastisur tri shtëpi të pabanuara në Zubin Potok të dielën, ku ka konfiskuar një numër të konsiderueshëm të armëve e pajisjeve ushtarake.

“Raportohet se në një shtëpi të pa banuar janë gjetur dhe konfiskuar 432 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe 18 fishekë të kalibrit të panjohur. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti po hetohet nga ekipet relevante policore”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë për rastin e parë.

Aty theksohet se në një shtëpi tjetër të pa banuar janë gjetur dhe konfiskuar 204 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 56 gëzhoja, një bajonetë, një maskë ushtarake, dhe tri pajisje ushtarake për ushqim.

Lidhur me rastin, theksohet se është njoftuar prokurori, i cili ka urdhëruar fillimin e hetimeve.

“Raportohet se në një shtëpi të pa banuar janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë ajrore, 31 fishekë dhe disa para të vjetra jugosllave. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti po hetohet nga ekipet relevante policore”, thuhet për rastin e tretë në raport.