Kosova ka marrë në kontroll të enjten në mëngjes të gjitha objektet dhe pronat hekurudhore në Veri të vendit.
Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, ka thënë për Radio Evropa e Lirë se Policia ka ofruar asistencë gjatë marrjes së objekteve të stacioneve hekurudhore.
Në aksionin ku u largua mbishkrimi në cirilik dhe flamuri i Serbisë nga objekti, ndërsa u vendosën një mbishkrim i ri në gjuhën shqipe dhe serbe së bashku me flamurin e Kosovës, morën pjesë edhe disa ministra në detyrë: Xhelal Sveçla i Punëve të Brendshme, Dimal Basha i Infrastrukturës dhe Transportit dhe Artane Rizvanolli e Ekonomisë.
“Sot janë kthyer nën menaxhim të plotë të Ndërmarrjes Publike INFRAKOS të gjitha objektet dhe pronat publike hekurudhore në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, të cilat deri më tani ishin të uzurpuara nga strukturat ilegale paralele serbe”, shkroi Basha në Facebook.
Sveçla theksoi para gazetarëve se ligjet duhet të zbatohen në të gjithë territorin e Kosovës. Ai potencoi se “Hekurudhat e Serbisë” janë një nga institucionet e fundit “paralele dhe ilegale” serbe që kanë funksionuar në Kosovë.
Kreu i MPB-së pohoi se infrastruktura hekurudhore në Veri deri më tani ka qenë “e uzurpuar nga strukturat ilegale paralele serbe”.
Ministri shtoi se Kosova s’do të tolerojë funksionimin e institucioneve serbe dhe se të gjitha do të mbyllen.
“Kjo [hekurudha] është pjesë e rrjetit tonë dhe, siç e ka theksuar ministri i Infrastrukturës, do të jetë pjesë e projekteve për rindërtimin e rrjetit hekurudhor”, deklaroi ai.









