Në pritjen e organizuar nga Ambasada Amerikane për nder të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të martën mbrëma, një parti u dallua se po festonin ndaras: Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ashtu si në deklaratat publike dhe debatet e brendshme, ndarjet brenda LDK-së u reflektuan edhe në këtë ngjarje festive, ku eksponentët e partisë u panë të grupuar veçmas.
Në njërën anë ishte kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i shoqëruar nga ish-presidentja Vjosa Osmani, Ilir Ferati, Ukë Rugova, Sibel Halimi dhe Paris Guri.

Në anën tjetër u panë figura që së fundmi kanë ngritur zërin për përgjegjësinë politike pas rezultatit zgjedhor dhe kanë kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut. Në këtë grup ishin Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Gazmend Muhaxheri, Imri Ahmeti madje, edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Pavarësisht kërkesave për dorëheqjen e Kryetarit të Partisë nga specifikisht tre degë të rëndësishme të LDK-së, me 29 qershor Kolegjimi i kësaj partie ka njoftuar se “Rikonfirmon mbështetjen e plotë për Kryetarin dhe Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në ushtrimin e përgjegjësive të tyre politike e statutore”.









