Këshilli Prokurorial i Kosovës ka publikuar vendimin 9-faqësh me arsyetime për shkarkimin e Blerim Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale. Isufaj, nga Këshilli Prokurorial akuzohet për keqmenaxhim të organit më të lartë të akuzës në vend, jokompetencë, dështim në kryerjen e detyrës e mospërmbushje të standardeve të performancës.

Isufaj, i cili ishte në krye të Prokurorisë Speciale përgjatë kohës sa u arrestuan, u ngritën aktakuza e nisën hetime ndaj një numri të madh funksionarësh shtetëror të Vetëvendosjes, është ngarkuar nga KPK edhe për cilësinë e aktakuzave.

“Cilësia përfundimtare e procedurave penale është alarmante. Përafërsisht 70% e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit dështojnë në gjykatë për shkak të gabimeve themelore në mënyrën se si është ndërtuar hetimi. Çështja kryesore është se 81% e aktakuzave për korrupsion përfundojnë me dështim”, thuhet në arsyetim.

Sipas KPK-së, çështja e efikasitetit të aktakuzave lidhet me aftësitë menaxheriale të Kryeprokurorit, të cilat, sipas Këshillit, Isufaj nuk i ka.

Tutje, atij i janë ngarkuar edhe dy raste në arsyetim:

“Rasti i parë ka të bëjë me mos realizim të kompetencave ligjore si autoritet kompetent ndaj një prokurori të Prokurorisë Speciale i cili gjatë trajtimit të rastit ku janë liruar të dyshuarit për transportin e 1 milion eurove, ku gjykata konstaton se prokurori në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit nuk ka përmendur asnjë provë sado sipërfaqësore në të cilin mbështetet pretendimi lidhur me dyshimin e bazuar. Sipas gjykatës, në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit nuk ka bashkangjitur provat minimale, siç janë procesverbali i kontrollit të automjetit e as vërtetimi për sekuestrimin e sendeve si prova për të dëshmuar dyshimin e bazuar, i cili është parakusht për caktimin e masës së paraburgimit. Si pasojë e mosveprimit të prokurorit të çështjes, Gjykata është detyruar që të urdhërojë lirimin e të dyshuarve në këtë çështje penale”.

“Rasti i dytë ka të beje me lirimin e katër (4) personave të dyshuar për veprat penale: “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Blerja, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Shpërlarje e parave” pasi që PSRK ka bërë kërkesë për vazhdimin e masës së paraburgimit pas afatit ligjor. Gjykata Supreme e Kosovës ka konstatuar se kërkesa për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj katër (4) të pandehurve në rastin PPS.nr.134/2024 ishte paraqitur në gjykatën kompetente pas afatit ligjor dhe si pasojë e kësaj. Gjykata Supreme iu ka ndërprerë të pandehurve paraburgimin dhe të njëjtit janë lëshuar”.

Duke klikuar në këtë vegëz, mund ta lexoni arsyetimin e plotë.

Në raste të shpeshta, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kishte falënderuar Blerim Isufajn për bashkëpunimin dhe punën e tij.

Më 25 shtator, pas një takimi mes Isufajt dhe të ngarkuarës me punë në Ambasadën Amerikane, kjo e fundit shkruante:

“Dje, e Ngarkuara me Punë, Anu Prattipati, u takua me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, për të diskutuar vazhdimin e bashkëpunimit tonë të suksesshëm me PSRK-në në luftën kundër kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare të SHBA-së, si terrorizmi, trafikimi i drogës dhe migrantëve, krimet kibernetike dhe organizatat kriminale transnacionale”.

Tre ditë më vonë, Ambasada falënderonte Prokurorinë Speciale për bashkëpunim me FBI-NË.

“Një tjetër shembull i bashkëpunimit të suksesshëm SHBA-Kosovë në luftën kundër krimit kibernetik transnacional. Faleminderit Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës dhe institucioneve të Kosovës, si dhe të gjithë të përfshirëve, për bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer në sjelljen e këtij rasti para drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Amerikës.

Partia në pushtet, Vetëvendosje, i kishte bërë të qarta qëndrimet e veta kundër Isufajt që një kohë të gjatë, duke mos e dekretuar atë për Kryeprokuror të Shtetit.

Madje haptas këtë e kishte thënë edhe vetë Kryeministri, Albin Kurti.

“Unë po them që ky nuk bën [Blerim Isufaj]. Unë nuk po them ky duhet. 200 prokurorë i ka Kosova, asnjëherë nuk kam thënë se filani ose fistekja duhet të bëhen. Veç unë po them që ky nuk bën. Ky që e ka lëshu Radojicicin nuk bën. Ky ia ka heq urdhërarrestin Radojçiçit. Nuk bën ky me u bë Kryeprokuror”, tha Kurti në një intervistë në emisionin Politiko në Kanal 10.