Ish-Emisari Special Amerikan gjatë luftës në Kosovë, Christopher Hill, ka thënë se nuk e beson që ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të jetë i përfshirë në krime, derisa ka shprehur vlerësime të larta për personalitetin e tij.

Hill, i cili ishte dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se Thaçi “ishte një personalitet dhe tepër i pjekur për moshën që kishte”.

“Thaçi e kuptoi se Kosova duhet të ishte në një pozitë më të mirë dhe e kam vlerësuar gjithmonë atë. Unë nuk e besoj se ai është përfshirë në krime. Nuk e kam ndjerë nocionin se Thaçi të jetë përfshirë në vepra të paligjshme”, deklaroi Hill për Klan Neës.

Ai konsideron se duhet të ketë shpresë se vendimi i Apelit të jetë në favor të Thaçit dhe të krerëve të tjerë të UÇK-së.

“Unë do të apeloja që të mos ketë mllef për këtë vendim. Duhet të shohim përpara dhe të kemi shpresë se vendimi i Apelit do të jetë në favor të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shtoi ai.

Në një vendim skandaloz, Gjykata Speciale ka dënuar të dielën e 16 shtatorit me rreth 1 shekull burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata janë dënuar me 81 vjet burgim gjithsej.

Gjykata Speciale e ka dënuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me 25 vjet burgim.

Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale e ka dënuar ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me 25 vjet burgim.

Specialja e ka dënuar ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me 18 vjet burgim.

Gjykata Speciale e ka dënuar ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, me 13 vjet burgim.