14 organizata të shoqërisë civile në Kosovë i kanë reaguar organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, e cila e përshëndeti verdiktin e Gjykatës Speciale, duke thënë se “i jep shpresë mijëra viktimave të luftës në Kosovë” dhe e interpretoi aktgjykimin si një mesazh për përgjegjshmërinë e drejtuesve politikë.

“Ne nuk presim që një deklaratë për një aktgjykim individual të përshkruajë të gjithë historinë e luftës. Megjithatë, kur Amnesty International i referohet shprehimisht popullsisë më të gjerë të viktimave të luftës në Kosovë, ajo duhet të ofrojë kontekst të mjaftueshëm për ta paraqitur atë histori në mënyrë të përgjegjshme. Mungesa e çdo reference ndaj krimeve të kryera nga forcat serbe i lë jashtë këtij rrëfimi përvojat e viktimave të tyre, ndërkohë që deklarata mbështetet në vuajtjet e viktimave të Kosovës në tërësi”, thuhet në reagimin e organizatave kosovare.

Ky grupim, ndër të tjera, ka kërkuar nga Amnesty International që ta rishikojë deklaratën dhe të përfshijë një kontekst të shkurtër që pranon krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë dhe nevojën e vazhdueshme për përgjegjësi për këto krime.

“Forcat serbe vranë 6,872 civilë shqiptarë në Kosovë ndërmjet 20 marsit dhe 14 qershorit 1999. Kjo shkallë e dokumentuar e vrasjeve të civilëve është një kontekst thelbësor kur i referohemi popullsisë më të gjerë të viktimave të luftës në Kosovë dhe kërkesave të tyre të vazhdueshme për drejtësi. Njëzet e shtatë vjet më vonë, asnjë komandant i lartë i VJ-së apo MUP-it nuk është ndjekur penalisht në Serbi për operacionet gjatë të cilave u vranë mijëra civilë, pavarësisht mijëra fakteve të vërtetuara në aktgjykimet e ICTY-së lidhur me veprimet e njësive të VJ-së dhe MUP-it dhe lidhjet e tyre me strukturat komanduese të drejtuara nga gjeneralë të cilët përfundimisht u dënuan”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Organizatat dhe përfaqësuesit që janë bashkuar në këtë reagim janë:

  • Prishtina Institute for Political Studies (PIPS)
  • Kosovo Law Institute (KLI)
  • Council for the Defence of Human Rights and Freedoms (CDHRF)
  • Kosova Democratic Institute / Transparency International Kosova
  • Kosovo Advocacy and Development Centre (KADC)
  • FOL Movement
  • Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA)
  • The Kosovar Organization for Talent and Education (TOKA)
  • Schüler Helfen Leben Kosova
  • Fourth Ëave
  • Ramadan Ilazi – Head of Research at Kosovo Centre for Security Studies (KCSS)
  • Netëork of NGOs AVONET
  • YES NGO
  • Kosova – Women 4 Women