Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit dhe vendi po shkon drejt zgjedhjeve.

Ajo tha se ky vendim vjen pasi deputetët nuk arritën që brenda afateve ta zgjedhin presidentin e ri.

“Përfaqësuesit mbrëmë vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje. Ka qenë krejt e evitueshme. Në përputhje me Kushtetutën kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”.

“Pra afati përfundimtar është i qartë, ka qenë mbrëmë në mesnatë dhe presidenti nuk mund të zgjidhet pas këtij momenti. Deputetët e Kuvendit kanë pasë në dispozicion 23 ditë për të kryer këtë detyrë kushtetuese nga momenti i konstituimit të tij. Ata vendosën që të mos e bëjnë këtë. Ky është realiteti institucional”.

Osmani deklaroi se ndjehet krenare për dekretin dhe e gatshme të sfidohet në Kushtetuese.

“Kurrë nuk kam qenë më krenare. Jam shumë me qetë të përballem me një kontestim për veprim në mbrojtje të Kushtetutës, sesa me mosveprim kur rrezikohen themelet e saj”, tha presidentja.  

“Qytetarët nuk kanë nevojë për vonesa të reja, kanë nevojë për qartësi”.