Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), në lidhje me certifikimin e kandidatëve të partisë Za Slobodu Pravdu i Opstanak, të udhëhequr nga Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç. Nga Lista Serbe kishin pretenduar se kandidatët e certifikuar për deputetë nga partia e Rashiç-it nuk i përkasin komunitetit serb.

Të hënë e 18 majit, PZAP refuzoi si të pabazuar ankesën e Listës Serbe kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për certifikimin e 10 kandidatëve të partisë së Rashiç-it. Pas kësaj, partia që dirigjohet nga Serbia, kishte dorëzuar ankesë në Supreme, duke pretenduar se ka shkelje të Kushtetutës së Kosovës, shkelje të dispozitave të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe vërtetim të gabuar të gjendjes faktike.

Lista Serbe propozoi anulimin e vendimit të PZAP-së dhe të vendimit të KQZ-së, si dhe detyrimin e KQZ-së për nxjerrjen e një vendimi të ri.

Por, pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë dhe shkresave të lëndës, Gjykata Supreme e Kosovës ka gjetur se ankesa është e pabazuar.

“Gjykata Supreme vlerësoi se ankuesi nuk ka ofruar prova konkrete, të besueshme dhe bindëse për të mbështetur pretendimet se kandidatët e certifikuar nga KQZ-ja nuk i përkasin komunitetit serb”, thuhet në vendimin e Supremes.

Gjykata Supreme thekson se publikimet në portale elektronike apo artikujt medialë “nuk përbëjnë prova juridikisht relevante për të vërtetuar përkatësinë etnike të kandidatëve”.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme thekson se barra e të provuarit bie mbi ankuesin dhe se pretendimet për shkelje kushtetuese apo ligjore nuk mund të mbështeten vetëm në supozime apo interpretime subjektive.

Gjykata Supreme vlerëson se vendimi i PZAP-së është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, duke respektuar parimet e barazisë, të drejtave zgjedhore dhe mbrojtjes së komuniteteve.