Gjykata Supreme ka vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës për vrasjen e Marigona Osmanit në vitin 2021 në Ferizaj.
“Me aktgjykimin e shkallës së parë, i akuzuari D.K. ishte shpallur fajtor për veprën penale ‘vrasje e rëndë’ dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Aktgjykimi ishte vërtetuar edhe nga gjykata e shkallës së dytë. Duke shqyrtuar pretendimet e paraqitura nga mbrojtja e të akuzuarit, Kolegji i Gjykatës Supreme konstatoi se aktgjykimet e gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë nuk përmbajnë shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale dhe se janë dhënë arsye të qarta për vendimmarrjen”, thuhet në aktgjykim.
Kolegji gjyqësor ka hedhur poshtë pretendimet e mbrojtjes lidhur me procedurën e rigjykimit, ekspertizën psikiatrike të të akuzuarit dhe pretendimet për ndikim të substancave narkotike.
“Nga raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike është konstatuar se tek i akuzuari nuk është gjetur ndonjë çrregullim mendor i karakterit psikotik dhe se ai ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij”, thuhet tutje në aktgjykim.
Sipas aktakuzës, më 21 gusht 2021, në një apartament në Ferizaj, i dyshuari kryesor, Dardan Krivaqa, e kishte detyruar Osmanin të kryente marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Më pas, ajo ishte sulmuar fizikisht dhe ishte keqtrajtuar.
Ndërsa më 22 gusht 2021, bashkë me një tjetër të dyshuar, Arbër Sejdiun, ai e privoi nga jeta në përpjekje për të fshehur krimin.









