Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur të premten një mbledhje elektronike, në të cilën janë ndarë 10 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të funeralit të akademikut Nexhat Daci.
“Janë ndarë 10,000.00 euro (dhjetë mijë euro), me qëllim të mbështetjes financiare për mbulimin e shpenzimeve të funeralit për veprimtarin e Republikës së Kosovës, akademik Nexhat Daci”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Ish-kryetari i Kuvendit ka vdekur më 1 janar. Daci ka qenë për vite me radhë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e më pas themelues i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, pas një kuvendi zgjedhor që e ndau LDK-në në dy pjesë.
Për një kohë, ai ka qenë edhe në krye të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Këtë të premte, atij i është dhënë lamtumira e fundit, pasi është varrosur me ceremoni shtetërore në varrezat e lagjes Dragodan në Prishtinë, në praninë e krerëve të shtetit, udhëheqësve institucionalë, akademikëve, familjarëve dhe miqve.
Gjatë ditës, në nderim të tij janë mbajtur homazhe në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ndërsa është organizuar edhe një Akademi Përkujtimore.









