Të gjitha ankesat e partive politike dhe kandidatëve për deputetë janë rrëzuar të mërkurën nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, të cilat u dorëzuan pas përfundimit të numërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.
PZAP ka refuzuar ankesat e kandidatëve për deputetë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës: Qëndrim Kryeziu dhe Bekim Haxhiu, të cilët kërkuan rinumërim të votave të kandidatëve për deputetë të PDK-së.
“REFUZOHET e pabazuar ankesa ZP.Anr.55/2026, e datës 29.06.2026, e parashtruar nga Qëndrim Kryeziu, kandidat për deputet, nga radhët e subjektit politik PDK, me seli në Prishtinë, ndaj vendimit të KQZ-së, me seli në Prishtinë, për shpalljen e rezultateve përfundimtare, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Kosovës të mbajtura me datë 7 Qershor 2026”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
“REFUZOHET e pabazuar ankesa ZP.Anr.54/2026, e datës 29.06.2026, e parashtruar nga Bekim Haxhiu, kandidat për deputet, nga radhët e subjektit politik PDK, me seli në Prishtinë, kundër vendimit të KQZ-së, Nr. 01/1375-2026, të datës 27.06.2026 për shpalljen e rezultateve përfundimtare për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Kosovës, të mbajtura më 07 Qershor 2026”, thuhet në vendimin tjetër.
Po ashtu, është refuzuar edhe ankesa e Listës Serbe ndaj votave të partisë së Ministrit në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, si dhe dy ankesa të partisë Nova Demokratska Stranka, të cilat kishin të bënin me parregullsi me vota.
Partitë politike dhe kandidatët për deputetë kanë kohë 48 orë që nga pranimi i vendimit të PZAP-së për t’iu drejtuar Gjykatës Supreme.
Pas kësaj, pra pasi që Supremja t’i shqyrtojë ankesat – nëse ka – i hapet rruga certifikimit të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.









