Gjykata Themelore e Ferizajt ka aprovuar pjesërisht padinë për shpifje të ngritur nga biznesmeni Afrim Matoshi kundër ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani.

Me këtë vendim gjyqësor, Ramadani detyrohet t’i kërkojë falje publike Matoshit në të njëjtin medium ku u bë deklarata, t’i paguajë atij 5 mijë euro dëmshpërblim jo-material, plus interes prej 8 për qind, si dhe shpenzimet procedurale në vlerë prej 959 euro.
Ramadani gjithashtu obligohet të mos përsërisë veprime të ngjashme në të ardhmen. Ish-deputeti i LVV-së, në vitin 2021, në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, kishte deklaruar se Matoshi kishte përfituar në mënyrë të padrejtë dhe se kishte lidhje me “manipulime të lehta”.
Sipas aktgjykimit, Gjykata ka konstatuar se deklaratat e Ramadanit përbëjnë shpifje dhe cenim të reputacionit të Matoshit.
Pos Ramadanit, më 30 shtator edhe bashkëpartiaku i tij, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, është dënuar për shpifje nga Gjykata Themelore në Ferizaj, dhe është detyruar që t’ia paguajë 25 mijë euro paditësit.
Padinë e ka fituar Mustafë Grainca, në lidhje me shkrimet që Basha i kishte bërë në media dhe në llogarinë e tij në Facebook, ku e kishte quajtur Graincën si “mafi të betonit”, duke e akuzuar për keqpërdorime dhe parregullsi në biznesin e ndërtimin në Komunën e Ferizajt.









