Është rihapur në shqyrtim gjyqësor rasti i trefishtë në Gllogjan të Deçanit.
Kështu ka vendosur të premten Gjykata Themelore në Pejë.
Të akuzuar në këtë rast janë Halil, Kreshnik dhe Kastriot Mehmetaj.
Siç raporton Betimi për Drejtësi, vendimi është marrë pasi Prokuroria, vetëm në fjalën përfundimtare, iu referua një video-incizimi të Kreshnik Mehmetajt duke gjuajtur me armë dhe provave balistike që nuk ishin paraqitur dhe administruar më parë gjatë gjykimit, duke i pamundësuar mbrojtjes që t’i kundërshtojë ato.
Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj akuzohen se më 26 nëntor 2021, nën motivin e hakmarrjes kanë shtënë me kallashnikov në drejtim të një autobusi në Gllogjan, ku kishin mbetur të vrarë shoferi i autobusit dhe dy nxënës 17-vjeçar.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të tre të pandehurit ngarkohen se më 26 nëntor 2021, në Gllogjan, në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri tjetrin, privojnë nga jeta tre persona, dy prej të cilëve fëmijë.









