Valon Ademi, pronar i Kompanisë “2A Group”, ka rikthyer nën menaxhim Aeroportin e Vlorës. Kështu ka vendosur të premten Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, disa ditë pasi që një gjykatë tjetër ia dha menaxhimin Behgjet Pacollit dhe kompanisë së tij “Mabco Construction”.

“[Gjykata ka vendosur] Pranimin e kërkesës për marrjen e masës së sigurimit të padisë, me qëllim ruajtjen e gjendjes ekzistuese juridike, korporative dhe administrative në VIA sh.p.k., deri në përfundimin e gjykimit me vendim të formës së prerë”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Sipas këtij vendimi, është ndaluar çdo vendimmarrje, veprim juridik ose regjistrim “që cenon, ndryshon ose ushtron të drejta mbi një raport zotërimi kuotash të ndryshëm nga ai që rrjedh nga Kontrata e Shitblerjes së Kuotave nr. 2437 Rep., nr. 941 Kol., datë 03.04.2025, sipas së cilës Mabco Construction SA zotëron 51% të kuotave dhe 2A Group SHPK zotëron 49% të kuotave të Shoqërisë VIA”.

Gjykata ka pezulluar edhe mbledhjen e datës 6 qershor të Asamblesë së Ortakëve të VIA-s dhe duke ndaluar shkarkimin e administratorit aktual, Vegim Hoxha, si dhe emërimin, zgjedhjen ose caktimin e çdo administratori tjetër nga Asambleja e Përgjithshme e Ortakëve ose çdo organ tjetër i shoqërisë.

Ka pezulluar edhe marrjen e çdo vendimi për ndryshim statuti “për njohje kontratash të pamaratuara më parë nga VIA, ndryshim administratori apo organesh drejtuese, kontrata huaje e çdo forme tjetër”.

Dhe ka detyruar ortakun në VIA, “Shoqërinë Mabco Construction SA të ruajë të pandryshuar statusin juridik, korporativ dhe administrativ të shoqërisë deri në zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjes me vendim të formës së prerë”.

Vendimi i Gjykatës

Pacolli dhe Ademi kanë qenë ortak në projektin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës. Por, më pas dyshohet se Pacolli ka bërë një kontratë të dyshimtë, ku aksionet e tij dhe të partnerit të tij (pa dijeninë e partnerit) ia kishte shitur një kompanie offshore guackë me emrin Compartment Bernina, e cila përfundimisht del të jetë me lidhje ruse.

Aktualisht Pacolli, bashkë me të vëllain e tij, Emin Pacolli dhe administratorin e kompanisë së tyre në Shqipëri, Nelson Çela, po hetohen nga Prokuroria e Tiranës për “mashtrim me pasoja të rënda”, “mashtrim kompjuterik”, si dhe “falsifikim të dokumenteve”.

Dyshimet e Prokurorisë janë se Pacolli në mënyrë të fshehtë dhe të kundërligjshme, pasi ka mashtruar partnerin e tij fillimisht, më pas e ka bartur aeroportin e Vlorës në pronësi të një kompanie, përmes një kontrate që praktikisht ua merr fuqinë vendimmarrëse aksionarëve dhe e kalon atë te kompania.