Me dënim unik prej 2 vjet dhe 15 mijë euro gjobë është dënuar Slobodan Radenkoviç nga Gjykata Themelore në Prishtinë për sulm ndaj ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, që kishte ndodhur në maj të 2023-së.

Aktgjykimi dënues u shpall të mërkurën nga gjykatësja Medi Bytyqi, pasi që Radenkoviç arriti marrëveshje me Prokurorinë Speciale për pranim fajësie, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar në bashkëkryerje”, i akuzuari u dënua me 2 vjet burgim, ndërsa për veprën penale “pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” u dënua me 6 muaj burgim, i cili me pëlqimin e të akuzuarit iu zëvendësua me 15 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Radenkoviç, së bashku me persona të tjerë, më 29 maj 2023, përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it dhe policët e Policisë së Kosovës, disa prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda trupore nga predhat e armëve të zjarrit. Me këto veprime, ai dhe të tjerët, u akuzuan se seriozisht kanë rrezikuar jetën dhe trupin e personave zyrtarë.

Më 29 maj 2023, një grup i protestuesve serbë, duke kundërshtuar vendosjen e Kryetarëve shqiptarë në katër komunat Veriore – Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – sulmuan ushtarët e KFOR-it, duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht hungarezë dhe italianë.