Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), e ka shkarkuar Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Ai ishte emëruar në këtë pozitë më 21 prill 2022.
Vendimi është marrë në mbledhjen e së enjtes së KPK-së. Pro shkarkimit të tij ishin 5 vota.
Në vend të Kelmendit, ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit është caktuar Agron Qalaj.
Shkarkimi i tij u kërkua nga zëvendëskryesuesja e KPK-së, Jehona Grantolli. Ajo tha se këtë propozim e bën pasi që Kelmendi u intervistua nga Prokuroria Speciale në cilësinë e dëshmitarit në lidhje me Masakrën e Reçakut.
“Duke pasë parasysh zhvillimet e fundit lidhur me detyrën e U.D. Besim Kelmendit, i cili është pozicionuar së fundmi me një grup të anëtarëve të KP dhe i cili më nuk përfaqëson unitetin e sistemit prokurorial, për të cilin është zotuar në marrjen e detyrës. Duke pasur parasysh edhe kërkesat e ndryshme që janë publike, që Këshilli Prokurorial të kërkojë shkarkimin e U.D.-së, kërkoj që kjo pikë të futet në mbledhje, me propozimin për shkarkimin e tij”, tha Grantolli në mbledhjen e KPK-së.
Nga ana tjetër, Kelmendi pretendoi se kjo po bëhet me tendencë dhe për interesa të dikujt, pa përmendur emra. Madje, tha se duket që Grantollit ia ka shkruar dikush tjetër fjalimin dhe jo vetë ajo.
“Sot nga zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial doli një propozim, të cilin ajo e lexoi, por nuk dihet se kush ia ka shkruar. Ndoshta ai është zëdhënësi i tyre në media. Një dhe i vetëm. Kam dëgjuar shumë mirë çka ke thënë. Nëse është dikush pjesë e grupeve, tregoni cili grup është”, deklaroi Kelmendi.
Ai shtoi se kjo është e planifikuar në mënyrë që në këtë pozitë të vijë një njeri i besueshëm i këtyre që po duan ta shkarkojnë.









