Qeveria e Shqipërisë ka vendosur që Rruga e Kombit të jetë pa pagesë për 24 orë të premten, për shkak të protestës kundër Gjykatës Speciale, që do të mbahet në Tiranë, në sheshin “Skënderbej”, duke filluar nga ora 17:00.

Lajmi është bërë i ditur nga Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, njëherit Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“‘Liria ka emër – Drejtësi për çlirimtarët’, bashkohemi në Tiranë për drejtësi, dinjitet dhe të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës”, shkroi Balluku në Facebook.

Edhe Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nënshkruar të mërkurën vendimin për të siguruar transportin për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të marrin pjesë në këtë protestë.