Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nënshkruar këtë të mërkure  vendimin për të siguruar transportin për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që do të marrin pjesë në protestën gjithëkombëtare më 17 tetor në Tiranë kundër Gjykatës Speciale.

“Veteranët tanë nuk janë pjesë vetëm e së kaluarës por janë pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare dhe Prishtina, si kryeqytet i Kosovës, do të mbetet shembull i respektit institucional, i kulturës politike dhe i mirënjohjes publike”, shkroi Rama në Facebook.

Me nderim të thellë për të gjithë veteranët, për familjet e dëshmorëve dhe për të gjithë ata që e mbajnë ende gjallë kujtesën e lirisë sonë, Rama theksoi “shihemi në Tiranë”, duke paralajmëruar kështu pjesëmarrjen tij.

“Ju takon respekti i një kombi të tërë”, përfundoi ai.