Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka aprovuar ankesën e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e cila dirigjohet nga Beogradi – kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mos shpalljen e rezultatit përfundimtar të kësaj partie për zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit.
“APROVOHET ankesa e subjektit politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicën e Veriut, e paraqitur kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me Nr. Protokolli 01/156/2026, të datës 31.01.2026, NDRYSHOHET pika – III – e dispozitivit të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), me Nr. Protokolli 01/156/2026, të datës 31.01.2026, ashtu qe shpallet rezultati përfundimtar për subjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e saj, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
PZAP-ja ka argumentuar se vendimi i KQZ-së për Listën Serbe, në mbledhjen e 31 janarit, është “i pajustifikuar” dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore.
“PZAP vlerëson se ky vendim është і pajustifikuar dhe në kundërshtim te plotë me dispozitat ligjore të sipër cekura, kjo për faktin se duke pas parasysh se kanë përfunduar të gjitha procedurat e numërimit dhe rinumërimit për të 3 gjitha subjektet politike, rezultati përfundimtar duhet të shpallet menjëherë dhe të përfshijë të gjitha subjektet zgjedhore pa përjashtim”, theksohet aty.
Çdo shpallje e pjesshme e rezultatit përfundimtar, në rrethana të tilla, PZAP ka potencuar se “nuk ka bazë ligjore dhe bie ndesh me parimet e barazisë së subjekteve zgjedhore, sigurisë juridike dhe transparencës së procesit zgjedhor”. “Andaj ky vendim është ne kundërshtim me praktikat e mira zgjedhore dhe po ashtu ne kundërshtim me standardet e Komisionit te Venecias”.
Lista Serbe dorëzoi ankesë në PZAP më 2 shkurt, pasi që KQZ-ja nuk e përfshiu në rezultatin përfundimtar. Tre anëtarë të KQZ-së votuan pro konfirmimit të rezultateve për Listën Serbe, dy anëtarë tjerë, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi të Vetëvendosjes, votuan kundër, ndërsa anëtarët e tjerë abstenuan.









