Mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në të cilën ishte paraparë edhe shqyrtimi i kërkesës për kthimin e gjyqtarëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës, ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit.

Mosmarrëveshjet dhe kundërshtimet mes anëtarëve të KGJK-së për pikën e dytë të rendit të ditës pamundësuan që të arrihej deri te pika e nëntë, e cila kishte të bënte me vendimmarrjen për pranimin ose jo të kthimit të gjyqtarëve serbë dhe stafit mbështetës në sistemin gjyqësor të Kosovës, pasi ata kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.

Arsyeja e ndërprerjes së mbledhjes lidhet me kërkesën e njërit prej anëtarëve të KGJK-së, i cili kërkoi që të gjithë anëtarët e Këshillit të jenë të pranishëm për të marrë pjesë në vendimmarrjen për përbërjen e komisioneve të KGJK-së.

Pas largimit të tij nga mbledhja, edhe një anëtar tjetër iu bashkua kundërshtimit, duke bërë që Këshilli të humbte kuorumin e nevojshëm për vazhdimin e punimeve.

Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, përmes një letre të dërguar më 19 qershor 2026 te kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, kishte kërkuar që Këshilli t’i japë epilog çështjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit mbështetës nga komuniteti serb brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.