Memli Krasniqi nuk do të jetë kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet. Kjo për shkakun se ai është zgjedhur Shef i Shtabit Qendror të partisë dhe do të udhëheq me fushatën zgjedhore.

“Në këtë fushatë, do të jem plotësisht në shërbim të fushatës sonë, të ekipit, të strukturave dhe të fitores sonë të përbashkët. Prandaj, pas shtatë mandateve si deputet i Kuvendit të Kosovës, këtë herë kam vendosur që të mos jem pjesë e listës tonë zgjedhore”, ka shkruar Krasniqi.

Ai shton se vendimi “do t’i lejojë atij të përkushtohet në udhëheqje të fushatës”.

Memli Krasniqi udhëhoqi Partinë Demokratike të Kosovës për mbi katër vjet, deri para dorëheqjes së para disa ditëve. Menjëherë më pas PDK mbajti Konventën Zgjedhore në të cilën zgjodhi Bedri Hamzën kryetar.