Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se kanë vënë në mbrojtje Malin Mokna dhe Liqenin e Ujmanit.

Ai e ka konsideruar këtë vendim si të rëndësishëm për mbrojtjen e natyrës në vend.

“Të dashur qytetarë, javën e kaluar kam nënshkruar vendimin për mbrojtje paraprake të “Malit Mokna dhe Liqenit të Ujmanit”, një nga vendimet më të rëndësishme për mbrojtjen e natyrës në vendin tonë”, shkroi Durmishi në Facebook.

Me këtë vendim, siç thotë ai, Kosova bëhet shteti me përqindjen më të lartë të territorit nën mbrojtje të natyrës në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Durmishi theksoi se pas një studimi njëvjeçar në terren, është konstatuar se kjo zonë përbën pasuri të rrallë natyrore, me biodiversitet të pasur dhe peizazhe me rëndësi të veçantë ekologjike e shkencore.

“Zona me sipërfaqe prej 192.19 km² tashmë vihet nën mbrojtje paraprake, duke e ngritur në 12.4% përqindjen e territorit të Kosovës që mbrohet ligjërisht”, pohoi ai.