Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – komuna me shumicë serbe në Veri të Kosovës – janë larguar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, raporton Radio Evropa e Lirë.

Kjo pasi ata duan që të jenë pjesë e një Asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.

Ky vendim vjen pasi që Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, që dirigjohet nga Serbia – rimori pushtetin në këto katër komuna në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Katër komunat Veriore të Kosovës i ishin bashkuar Asociacionit të Komunave të Kosovës në vitin 2023, kur udhëhiqeshin nga kryetarët shqiptarë, të cilët ishin zgjedhur në këto pozita në prill të 2023-së, pas vendimit të Listës Serbe në nëntor të 2022-së për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës.

Kryetarët e rinj, që vijnë nga Lista Serbe, kishin paralajmëruar në fillim të dhjetorit se do t’i rishikonin vendimet e marra nga kryetarët paraprakë shqiptarë.

Ata paralajmëruan një “shqyrtim të hollësishëm të gjendjes së trashëguar juridike dhe financiare, në mënyrë që në periudhën e ardhshme të merren vendime në përputhje me ligjin dhe në interesin më të mirë të qytetarëve”.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviç, duke arsyetuar kërkesën për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, pretendoi se kjo “kurrë nuk ka qenë dëshirë e popullsisë serbe në këtë komunë dhe se bëhej fjalë për një vendim politik”.