Me verdiktin e saj ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjykata Speciale deklaroi se mjetet e përdorura për të arritur pavarësinë e Kosovës ishin në masë të konsiderueshme “kriminale”.

Kështu ka thënë Luka Misetiç, avokati i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, derisa i ka reaguar analistit për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec, i cili theksoi se e drejta e Kosovës për pavarësi kurrë nuk mund dhe nuk duhet të vihet në bankën e të akuzuarve, dhe “të sillemi sikur është vetëm na nxjerr keq”.

Në këtë drejtim, Misetiç pohoi se Prelec ka pjesërisht të drejtë.

“Gjykata nuk e shpalli të paligjshme të drejtën e Kosovës për pavarësi (ajo nuk kishte juridiksion për ta bërë këtë), por ajo deklaroi se mjetet e përdorura për të arritur pavarësinë e Kosovës ishin, në një masë të konsiderueshme, kriminale”, shkroi Misetiç në X.

Ai thotë se Trupi Gjykues ka konstatuar se “një pjesë e qëllimit kriminal të anëtarëve të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale dhe ‘të tjerëve në udhëheqjen e UÇK-së’ ishte arritja e pavarësisë së Kosovës përmes krimeve të luftës.

“Madje, as Prokuroria nuk kishte shkuar deri në këtë pikë”, pohoi Misetiç.

Në një vendim skandaloz, Gjykata Speciale ka dënuar të mërkurën e 16 shtatorit me rreth 1 shekull burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata janë dënuar me 81 vjet burgim gjithsej.

Gjykata Speciale e ka dënuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me 25 vjet burgim.

Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale e ka dënuar ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me 25 vjet burgim.

Specialja e ka dënuar ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me 18 vjet burgim.

Gjykata Speciale e ka dënuar ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, me 13 vjet burgim.