“Sapo të kthehem, do t’i bashkëngjitem edhe unë zërit tuaj, sepse kjo betejë nuk ka mbaruar. Ashtu si Babi sot, që me kokën lart u përball me këtë ditë, edhe ne do të vazhdojmë përpara me kokën lart, me dinjitet dhe maturi”, ka thënë Endrit Thaçi, djali i ish-Presidentit Hashim Thaçi, pasi që babai i tij u dënua me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale.

Mirënjohja e tij, Endriti thotë se “shkon për secilin prej jush që na u bëte krah ndër vite, në këtë rrugëtim të padrejtë të Babit dhe shokëve të tij”.

“Ne e dimë historinë tonë. Ushtarët tanë e kanë të gdhendur në lëkurë, ndërsa dëshmorët tanë e kanë vulosur me gjakun e tyre”. Këtë histori, thekson ai, nuk mund ta ndryshojë asnjë vendim.

Ai ka falënderuar të gjithë “vëllezërit dhe motrat shqiptare që udhëtuan dhe që pritën me orë të tëra për vendimin”. “Në veçanti, ata që nuk e ndalën zërin edhe pas vendimit”.