Policia e Kosovës ka sqaruar vendimin e Gjykatës Supreme në lidhje me marrjen e përkohshme të patentë-shoferëve, duke bërë me dije se Policia nuk ka të drejtë të mbajë patentë-shoferin më shumë se tetë ditë, por kjo nuk nënkupton se pas kësaj periudhe, personi mund të drejtojë automjetin.

“Policia, sqaron se ky aktgjykim nuk e ndryshon mundësinë e shqiptimit të masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të mjetit me veprim motorik dhe nuk i shfuqizon masat mbrojtëse të shqiptuara më parë. Të gjitha këto masa vazhdojnë të jenë të vlefshme dhe të zbatueshme sipas afatit për të cilin janë shqiptuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndryshimi, bëjnë me dije ata, ka të bëjë vetëm me mbajtjen fizike të patentave të shoferëve nga Policia, e cila, sipas nenit 244 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor dhe Vendimit të Gjykatës Supreme, nuk mund të zgjasë më shumë se tetë ditë.

“Në këtë drejtim, Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për kthimin e patentave të shoferëve, të marrë më herët përkohësisht, për të cilët ka kaluar afati ligjor i mbajtjes, në përputhje me Vendimin e Gjykatës Supreme”.

“Policia thekson se kthimi fizik i patentave të shoferëve nuk nënkupton se personi ka të drejtë ta drejtojë automjetin gjatë kohëzgjatjes së masës mbrojtëse. Personat ndaj të cilëve është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit vazhdojnë ta kenë të ndaluar drejtimin e automjetit deri në përfundimin e saj”.

Policia ka rikujtuar se drejtimi i automjetit gjatë kohëzgjatjes së masës mbrojtëse përbën kundërvajtje për të cilën ligji parasheh gjobë prej 500 eurosh, ndalim të drejtimit për gjashtë (6) muaj, pesë (5) pikë negative, si dhe konfiskimin e përkohshëm të automjetit, sipas nenit 246 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.