Të padrejtë e të pasaktë në kuptimin historik dhe faktik e ka quajtur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), derisa vetë Gjykatën e ka konsideruar si jotransparente që nga fillimi e deri më tani.
Këto komente, Kurti i ka bërë gjatë takimit që ka pasur në New York me kongresistin amerikan Mike Lawler, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe kryetar i Nënkomisionit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
“Patjetër diskutuam edhe për aktgjykimin e padrejtë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së”, shkroi Kurti në Facebook.
Ai ka thënë se është e rëndësishme “të dallojmë atë që është thënë e pretenduar nga ajo që është provuar dhe vendosur nga gjykata”.
Kryeministri ka përmendur faktin se pretendimi skandaloz për “Shtëpinë e Verdhë”, e cila ishte bazë për themelimin e Speciales, nuk ka qenë pjesë e aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe pretendimi për krime kundër njerëzimit ka rënë.
“Pretendimi për ‘Shtëpinë e Verdhë’ dhe trafikimin e organeve, mbi të cilin u krijua pjesa dërrmuese e narrativës që parapriu themelimin e Dhomave të Specializuara, nuk ishte fare pjesë e aktakuzës. Ra pretendimi për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullatës civile”, tha Kurti.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai pohoi se “ishte dhe mbetet e drejtë, e nuk mund të njolloset në asnjë mënyrë”.
Kurti ka theksuar se shqetësuese mbetet “jotransparenca e Gjykatës Speciale që nga nisja e punës së saj e deri sot, si dhe dënimet e rënda pas vendimit që lëngon nga pasaktësia historike dhe faktike”.
Në një vendim skandaloz, më 16 shtator, Gjykata Speciale ka dënuar me rreth 1 shekull burgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ata janë dënuar me 81 vjet burgim gjithsej.
Gjykata Speciale e ka dënuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me 25 vjet burgim.
Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale e ka dënuar ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me 25 vjet burgim.
Specialja e ka dënuar ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me 18 vjet burgim.
Gjykata Speciale e ka dënuar ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, me 13 vjet burgim.









