“Veprimet në pozitat institucionale duhet të kryhen me përgjegjësi të lartë dhe pa inate personale”, ka thënë Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e thumbuar Presidenten Vjosa Osmani.

Këto komente, Nagavci i bëri përmes një postimi në Facebook, pas vendimit të Kushtetueses për çështjen e Presidentit, e cila konstatoi se dekreti i Presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit s’ka efekt juridik dhe u dha kohë 34 ditë deputetëve për ta zgjedhur të parin e shtetit.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmoi se dekreti i shpallur nga Presidentja Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit është në kundërshtim me Kushtetutën”, shkroi ajo.

Ky moment, sipas saj, “duhet të shërbejë për reflektim dhe për angazhim të të zgjedhurve të popullit, në mënyrë që vendi të mos futet në një krizë të re dhe në një cikël të përsëritur zgjedhjesh”.

Ajo kërkoi që në ditët e ardhshme të ketë angazhime për zgjedhjen e Presidentit për t’u shmangur zgjedhjet e reja.

“Gjatë ditëve në vijim, duhet të angazhohemi të gjithë për të zgjedhur Presidentin dhe për të shmangur edhe një palë zgjedhje, të cilat janë të panevojshme dhe të padrejta”, theksoi Nagavci.