Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se Kosova po shkon në zgjedhje dhe fajtori theksoi se është Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Tash Kosova shkon në zgjedhje, qartazi me një fajtor të vetëm: Albin Kurti”, shkroi Gjini në Facebook, pasi që Gjykata Kushtetuese konstatoi se Kuvendi është konstituuar pas afatit 30 ditor dhe se Presidenti duhet të zgjidhet më së largu deri më 6 tetor.
Sipas Gjinit, Lëvizja Vetëvendosje e ka zvarritur kohën vetëm për ta çuar vendin në zgjedhje.
“Gjykata Kushtetuese konstatoi se afatet për konstituimin e Kuvendit janë konsumuar. Aleanca e ka përsëritur një gjë të tillë tash e sa kohë. E kemi dëshmuar qartë dhe me kohë se që prej 7 qershorit e deri më sot, partia që i ka fituar zgjedhjet e kaluara e ka zvarritur kohën vetëm për ta çuar vendin në zgjedhje prapë. Edhe këtë Aleanca e ka spikatur panumër herë”.
“Gjykata Kushtetuese e nxori Kosovën prej një momenti të paparashikuar krize, 6 tetorin. E të cilën datë po ashtu partia që i fitoi zgjedhjet e kaluara e priste”.
Shkeljet kushtetuese, siç thotë ai, “kurrë nuk kanë arsye patriotike”.
Çdo shkelje kushtetuese, sipas tij, “kurdo dhe kudo qoftë ajo, bëhet vetëm me qëllim të mbajtjes së pushtetit në mënyrë të paligjshme”.
“Populli i Kosovës e ka të qartë çdo lojë politike për interesa të ngushta partiake të cilitdo akter, dhe po ashtu e ka të qartë se kush ofron zgjidhje që sjellin jetë më të mirë për qytetarët”.









