Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, ka thënë se shpreson që partitë politike të tregojnë përgjegjësi dhe të bashkëpunojnë lidhur me zgjedhjen e Presidentit para datës 6 tetor.

“Shpresoj që të gjitha partitë politike tani do të tregojnë frymë përgjegjësie dhe bashkëpunimi për të punuar së bashku në zgjedhjen e një presidenti para 6 tetorit, duke e ndihmuar Kosovën të përmbushë reformat, të shfrytëzojë mundësitë dhe të përballet me sfidat që e presin”, shkroi ai në Facebook, ku edhe e ka uruar për formimin e Qeverisë së re.

“Pas ngërçit të zgjatur politik, ky është një hap i rëndësishëm drejt institucioneve stabile dhe efektive, të cilat mund t’u shërbejnë qytetarëve të Kosovës. Mbretëria e Bashkuar mezi pret të punojë ngushtë me Qeverinë në muajt në vijim”.

Mbretëria e Bashkuar, thekson ai, mbetet një mik dhe partner i palëkundur i Kosovës, “duke punuar së bashku në interesin tonë të përbashkët për demokracinë dhe sundimin e ligjit, mundësitë ekonomike, sigurinë rajonale dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës”.

Gjykata Kushtetuese në një vendim të publikuar të mërkurën, konstatoi se Kuvendi është konstituuar pas afatit 30 ditor dhe se Presidenti duhet të zgjidhet më së largu deri më 6 tetor.