Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për Kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në debatin për Prishtinën, i cili do të mbahet sonte e që është organizuar nga gazetari Adriatik Kelmendi në Klan Kosova.
Në një postim në Facebook, Berisha ka thënë se e refuzon debatin, pasi që e sheh të paarsyeshme që të marrë pjesë duke qenë se nuk është kandidati i Vetëvendosjes në këtë debat, Hajrulla Çeku.
“Unë, jam futë në garë për t’u bërë Kryetar i Komunës dhe me kënaqësi do të përballesha me Perparimin dhe Hajrullahun, të cilët i shoh barabartë të dëmshëm për qytetin e Prishtinës, po nuk marrë pjesë në debat ku është njeri prej tyre, sepse qëllimi im nuk është ta luftoj njërin, duke e kursyer tjetrin, por dua ti luftoj që të dy, njëkohësisht”, shkroi ai.
Ai kërkoi që të mos harrohet fakti që Prishtina për katër vjet “ka qenë ‘arenë lufte’, midis Qeverisë së Hajrullahut dhe Komunës së Përparimit, duke e lënë qytetin dhe hallet e qytetarëve në mëshirën e kohës, prandaj as unë nuk mund ti ndaj nga barra e përgjegjësisë!”.
Berisha i ka kërkuar falje shikuesve që kanë pritur këtë debat, por megjithatë ka theksuar se vendimi i tij buron nga bindja se debati – përballja duhet të jetë e drejtë dhe e plotë. “Nuk mund të marr pjesë kur mungon njëri prej kandidatëve, sepse dua t’i kem përballë të dy, ashtu siç i shoh: njësoj përgjegjës për gjendjen e Prishtinës”.