Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe të tjerëve, në rastin për pengim të administrimit të drejtësisë.
Ajo e ka cilësuar të padrejtë dhe të papranueshëm dënimin e shqiptuar ndaj Hashim Thaçit, Fadil Fazliut, Bashkim Smakajt dhe Hajredin Kuçit.
“Sot ndodhi edhe një përshkallëzim tjetër i padrejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë”, ka shkruar Mehmeti-Selimi.
Ajo ka thënë se sikurse dënimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe personave të tjerë, edhe aktgjykimi i sotëm është i padrejtë.
“Ne presim dhe duhet të vazhdojmë të luftojmë për drejtësi edhe në fazat e tjera gjyqësore”, ka deklaruar ajo.
Në reagimin e saj, Mehmeti-Selimi ka uruar Isni Kilajn dhe familjen e tij për shpalljen e pafajësisë dhe lirimin e tij.









