Për Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dënimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është një vendim i padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes.

Ai bëri thirrje për maturi dhe unitet. “Në këto momente të rënda, bëj thirrje për maturi dhe unitet. Nuk duhet të biem në asnjë grackë që synon të krijojë tensione, përçarje apo të njollosë luftën çlirimtare të popullit në Kosovë”.

Ahmeti i renditi edhe faktet, të cilat tha se duhet të kujtohen sa herë që dikush përpiqet që ta paraqesë UÇK-në si “ndërmarrje kriminale”. “UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj shtypjes dhe luftoi për lirinë e Kosovës. Pretendimet e dikurshme për trafikim organesh, që rënduan për vite mbi UÇK-në dhe drejtuesit e saj, nuk u shndërruan në akuza në këtë proces. Po ashtu, sot Gjykata i shpalli të pafajshëm të akuzuarit për krime kundër njerëzimit; dhe potencoi se UÇK kishte pasur objektiv pavarësine e Kosovës, objektiv ky që edhe u arrit. Këto janë fakte që duhet të kujtohen sa herë që dikush përpiqet ta paraqesë UÇK-në si ndërmarrje kriminale”.

Procesi, theksoi ai, nuk përfundon këtu. “Besojmë se mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund”.

“Aktakuza i ngarkonte Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin me përgjegjësi për një sërë krimesh të pretenduara gjatë viteve 1998-1999. Besojmë se edhe këto akuza do të rrëzohen në procesin e mëtejshëm gjyqësor, ashtu siç nuk u materializuan pretendimet e dikurshme për trafikim organesh”.

Lufta e UÇK-së, theksoi ai, ishte luftë për liri. “Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe sakrifica e një populli të tërë nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve”.

“Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel!”.