Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosh, ka folur hapur se si e kishin detyruar shtetin e Kosovës, respektivisht ish-presidentin e vendit, Hashim Thaçi, të formonin Gjykatën Speciale.

Ai, në një intervistë në Radio Dukagjini, tha se është e padrejtë forma se si po atakohet Hashim Thaçi për krijimin e saj, kur ata, ndërkombëtarët, duke thënë edhe vetë ai personalisht, e kishin detyruar ta krijonte.

“Unë i thashë Thaçit atëherë: Mos u brengos, do të jesh i lirë shumë shpejt, do të lirohesh në mungesë provash, dhe i shkreti i vendosi vetes lakun në fyt. Tani i thonë: E bëre vetë, vetë e kërkove. Jo, nuk e kanë kërkuar, janë detyruar ta bëjnë këtë nga njerëz si unë. Ndihem shumë keq për këtë, por ai ishte urdhri që unë mora nga Haga, dhe pasi isha ambasador, më duhej ta përmbushja. Jozyrtarisht e kam bërë të qartë se nuk pajtohesha. Kjo është një gjë e keqe për vendin, për drejtësinë në përgjithësi, dhe të vetmit që po festojnë me gëzim të madh janë njerëzit në Serbi, ku kriminelët e luftës janë në Qeveri apo në krye të ushtrisë, duke qeshur. Ata duhej të ishin në burg më shumë se çdokush tjetër”, tha ai.

Si zgjidhje, për të dalë nga kjo situatë, ish-ambasadori e sheh vetëm ndërhyrjen e SHBA-ve për të rregulluar këtë “vendim të gabuar”, siç e quan ai.

“Problemi, sigurisht, është se do të jenë përsëri njerëzit e njëjtë, andaj nuk pres shumë. Mendoj se, pasi presidenti Trump ndërhyn në çdo çështje, duhet të ndërhyjë edhe këtu, sepse kjo ka shkuar shumë larg. Rama e ka provuar këtë më parë, shumë njerëz kanë thënë se kjo Gjykatë duhet të ndalet. E patë, siç thuhej në fillim: Kjo është Gjykata e Kosovës. Ata nuk i ndjekin ligjet e Kosovës, nuk kanë njerëz të Kosovës, ka vetëm amerikanë në panelin e gjykatësve dhe prokurorëve. Çfarë Kosove ka këtu? Duke shikuar prapa, ishte një vendim i gabuar, për të cilin edhe unë jam përgjegjës”, tha Bosh.