Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka cilësuar si brutal vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke thënë se ai nuk përputhet me bindjen e Aleancës dhe të popullit të Kosovës për luftën çlirimtare.

Në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, Gjini ka thënë se Aleanca e ka mbështetur ligjin për Dhomat e Specializuara, por ka kërkuar angazhim shtetëror për shfrytëzimin e të gjitha mundësive juridike, me synimin që vendimi të korrigjohet në Apel.

Ai ka kritikuar institucionet e Kosovës, duke thënë se Presidenca, kryeministri, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme është dashur të angazhoheshin shumë më herët për këtë çështje.

Gjini ka shprehur pasiguri nëse do të ketë angazhim të mjaftueshëm institucional në të ardhmen, duke theksuar se puna për këtë çështje duhet të nisë pa vonesa.

Kreu i Aleancës ka folur edhe për situatën politike në vend, duke thënë se Kosova nuk ka më krizë institucionale, por krizë politike, të cilën ia atribuon qasjes së Qeverisë.

Ai e ka përshëndetur zgjedhjen e presidentes, duke vlerësuar se vendi ka dalë nga ngërçi institucional, por jo edhe nga kriza politike.